Newsletter
QËNDRIM I PËRBASHKËT I ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE DHE AKTIVISTËVE TË ANGAZHUAR NË NIVEL VENDOR, PËR TRANSPARENCË DHE PJESËMARRJE QYTETARE

 #QeverisjeVendoreTransparente #PjesëmarrjeQytetare - QËNDRIM I PËRBASHKËT I ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE DHE AKTIVISTËVE TË ANGAZHUAR NË NIVEL VENDOR, PËR TRANSPARENCË DHE PJESËMARRJE QYTETARE

Prej 9 Marsit, vendi ynë është prekur nga virusi #Covid19, duke u përfshirë kështu në listën e shteteve të prekura nga pandemia globale. Me VKM nr. 243, dt. 24.3.2020, u shpall Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore dhe janë në zbatim masa kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes në shkallë të gjerë të Koronavirusit në Shqipëri.

Këto masa kanë ndikuar të gjithë zinxhirin e funksionimit normal jo vetëm të shoqërisë por edhe të institucioneve publike, politikëbërëse dhe vendimmarrëse në nivel qendror dhe në qeverisjen vendore.

Organizatat e Shoqërisë Civile, komuniteti, grupimet e qytetarëve dhe individët e angazhuar në forcimin e demokracisë vendore, monitorimin e qeverisjes vendore, rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe përfshirjes në proceset vendimmarrëse, kanë mbështetur institucionet vendore në përballimin e vështirësive të krijuara prej pandemisë Covid19, përmes informimit dhe ndërgjegjësimit, si dhe përmes veprimeve konkrete.

Prej më shumë se një muaji, aktorët e shoqërisë civile, grupimet e qytetarëve, madje dhe individët, duke treguar vlera solidariteti dhe qytetarie, kanë ofruar ndihmesën e tyre me grumbullimin e fondeve për ndihma ushqimore, identifikimin e familjeve në nevojë, ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e masave për mospërhapjen e virusit, etj., kontribut për të cilin qytetarët mund të dëshmojnë më së miri në komunitetet dhe vendbanimet e tyre.

Përgjatë kësaj periudhë të vështirë që vendi po kalon, është mirëkuptuar nga të gjithë pozicioni i institucioneve të qeverisjes vendore, kapaciteti i të cilave i fokusuar në përballimin e kësaj krize, është vënë në provë. Angazhimi dhe përpjekjet e shumë bashkive në vend kanë qenë të dukshme, duke i ardhur në ndihmë shumë qytetarëve, ashtu sikundër nevojat për shtresat më vulnerabël të shoqërisë mbeten të mëdha.

Kjo krizë ka krijuar një shkëputje në marrëdhënien qytetar- insitucione të qeverisjes vendore. Përgjatë kësaj periudhe, informacioni kryesor i publikuar dhe shpërndarë prejnjësive të qeverisjes vendore është perqendruar tërësisht me situatën #Covid19 garantimin e ndihmave, respektimin e masave apo planeve të parandalimit të përhapjes së virusit dhe proceseve të pastrimit/dezinfektimit të ambienteve publike.

Organizatat e shoqerise civile, grupet informale, individet të angazhuar në respektimin e të drejtave të qytetarëve, respektimin e ligjit, forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse të NJQV-ve, konstatojnë se pavarësisht krizës, drejtuesit e institucioneve të qeverisjes vendore, ne permbushje te kompetencave te tyre, duhet te krijojne kushtet e nevojshme për të funksionuar me transparencë dhe përgjegjshmëri ndaj qytetarëve, edhe si domosdoshmëri e respektimit të kuadrit ligjor në fuqi që garanton pjesëmarrjen e publikut në proceset vendimmarrëse të qeverisjes vendore.

Kjo periudhe eshte shoqeruar me mungese informacioni ne lidhje me mbledhjet e këshillave bashkiak, vendimet e marra prej tyre, mënyrën e organizimit të mbledhjeve, procedurat e ndjekura etj. Në procese të tilla si: hartimi i planeve buxhetore, përcaktimi i prioriteteve të bashkive, përcaktimi i përfitimeve për shtresa apo grupe të ndryshme, transparenca dhe përfshirja e grupeve të interesit eshte shumë më e rëndësishme se më parë, duke konsideruar efektet ekonomike dhe sociale të pandemisë. Disa Këshilla Bashkiakë kanë nisur përpjekjet për të zhvilluar mbledhje në platforma on-line, një praktikë me mjaft vlerë, e cila duhet të shtrihet në të gjitha Bashkitë, si dhe të sigurojë akses të qytetarëve dhe grupeve të interesit.

Në këtë kuadër, ne si aktorë të shoqërisë civile, të angazhuar në përmirësimin dhe forcimin e demokracisë vendore, i bëjmë thirrje autoriteteve të qeverisjes vendore:
• të garantojnë funksionimin transparent të strukturave të Bashkive, duke iu përshtatur në formë e metodologji pune, masave shtrënguese dhe situatës së krijuar prej përhapjes së Koronavirusit;
• të përdorin mjete dhe instrumente të përshtatshme, të cilat garantojnë transparencë në menaxhimin e krizës në nivel vendor, si për proceset administrative ashtu edhe për ndikimet në buxhetet e bashkive.
• të sigurojnë transparencën dhe të zbatojnë parimin e mbledhjeve të hapura për publikun, për të gjitha diskutimet dhe vendimet që merren nga Këshillat Bashkiakë.
• të vijojnë zhvillimin e seancave dëgjimore apo konsultimeve publike, duke siguruar pjesëmarrje efektive të qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit përmes kanaleve të komunikimit masiv apo instrumenteve të tjerë inovative.
• të zbatojnë të drejtën e informimit, duke respektuar dispozitat e legjislacionit në fuqi.
• të përfshijnë shoqërinë civile në proceset e vendimmarrjes, duke ofruar e garantuar partneritet efektiv, në përfitim të qytetarëve.

Kjo situate e jashtëzakonshme, e krijuar prej pandemisë nuk duhet të cënojë të drejtën e qytetarëve per informim dhe të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procese që ndikojnë jetën e tyre. Përpjekjet shumëvjeçare për ndërtimin e një qeverisje vendore të mbështetur në parimet e transparencës, eficencës dhe gjithëpërfshirjes nuk duhet të cenohen për shkak të pandemisë.

Ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar me mjetet dhe veprimtarinë tonë në lehtësimin e situatës, si dhe jemi të hapur për të koordinuar veprimet me Bashkitë dhe Këshillat Bashkiake, për informimin në kohë dhe me trasnparencë të qytetarëve.
Pandemia do të ikë, ajo nuk mund të deformojë dhe tjetërsojë demokracinë vendore.

Organizata, grupime informale dhe individë, aktiv në nivelin vendor dhe me komunitetet:
1. Qendra Konsumatori Shqiptar, Durrës
2. "Levizja per Zhvillimin e Turizmit" Ksamil
3. 'Nisma e Luleve', Sarandë
4. Qëndresa Qytetare, Tiranë
5. Together Foundation, Tiranë
6. Për ju nëna dhe fëmijë, Kukës
7. ABC Tirana Club, Tiranë
8. Grupi ATA, Kamëz
9. Agritra Vizion, Dibër
10. Qendra STEPS, Tiranë
11. Livia Kreko, aktiviste, Durrës
12. Qendra Agenda, Tiranë,
13. Instituti per Studimet Publike & Ligjore, Tiranë
14. Xhenis Kryekurti, aktiviste, Tiranë
15. New Bridges, Berat
16. Europartners Development, Tiranë
17. Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, Elbasan
18. Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore, Tiranë,
19. Grupimi TAMAM Albania, Vorë
20. Raxhi Rakipi, aktivist, Elbasan
21. Klubi Social Rinor, Shkodër
22. Behar Dema, aktivist, Maqellarë
23. Qendra Durrësi aktiv, Durrës
24. Partnerë për Fëmijë. Kukës
25. Citizens Channel, Tiranë
26. Grupimi Bicycle Durrës

#ShoqeriCivile #Komunitet #DemokraciaVendore #Transparence #Perfshirje #Covid19

 


Ndryshimi i fundit: 29-04-2020
Copyright © europartners.al - Te gjitha te drejtat e rezervuara.
Adresa: Rr. Ismail Qemali, P. 2K, Nr. 25 (mbi Abissnet)
email: info@europartners.al