Ofrimi i Trajnimeve dhe Mbështetjes Praktike për Ministritë Shqiptare të Linjës në Menaxhimin e Investimeve Publike
Qëllimi i përgjithshëm i kësaj detyre ishte mbështetja e Qeverisë së Shqipërisë në forcimin e sistemit të Menaxhimit të Investimeve Publike (MIP), veçanërisht përmes operacionalizimit të Listës Kombëtare Unike të Projekteve (National Single Project Pipeline – NSPP).
Si një instrument strategjik, NSPP ndihmon në prioritizimin dhe koordinimin e investimeve publike në përputhje me strategjitë kombëtare të zhvillimit dhe proceset e planifikimit buxhetor. Reformat e fundit rregullatore, përfshirë miratimin e VKM nr. 887, kanë forcuar kuadrin ligjor dhe procedurial për vlerësimin dhe miratimin e projekteve strategjike të investimeve, duke promovuar njëkohësisht barazinë gjinore dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Për të siguruar zbatim efektiv, është e domosdoshme ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve të administratës publike, përfshirë rishikimin e kurrikulave të vjetruara të trajnimit, zhvillimin e një programi të ri “Training of Trainers” (ToT) dhe krijimin e një grupi të qëndrueshëm ekspertësh të kualifikuar. Këto ndërhyrje, të mbështetura nga Banka Botërore, synojnë përmirësimin e cilësisë së projekteve, përputhjen me prioritetet strategjike dhe përdorimin më efikas të burimeve në të gjitha ministritë.
Qëllimet specifike ishin:
- Të përgatitet një grup bazë trajnerësh që do të ofrojnë trajnim dhe asistencë për ministritë e linjës në përgatitjen e projekteve të investimeve publike, bazuar në procedurat e reja të MIP.
- Të ofrohet trajnim dhe mentorim i drejtpërdrejtë për stafin e ministrive të linjës dhe agjencive të tjera qendrore për zbatimin e procedurave të reja të MIP, duke i pajisur ata me aftësitë e nevojshme për përgatitjen e propozimeve cilësore të projekteve të investimeve publike.